Nazif Cungu

NAZIF CUNGU1

Nazif Cungu ka lindur në Ulqin më 13 Maj 1958 ku edhe ka kryer shkollën fillore dhe gjimnazin. Studimet më pas i ka vazhduar për menaxhimin turistik në Fakultetin Ekonomik të Dubrovnikut ku u diplomua me rezultate të shkëlqyera në vitin 1980. Nga viti 1983 deri në vitin 1987 ka punuar në Kuvendin Komunal të Ulqinit në postin e sekretarit për ekonomi buxhet dhe financë. Prej vitit 1987 deri në vitin 1991 ka ushtruar funksionin e Drejtorit Komercial në Organizatën Turistike "Riviera e Ulqinit".

Nga viti 1991 deri në vitin 1993 ka jetuar në Zvicër ku i është besuar përgjegjësia e drejtimit të shërbimit në Hotel – Restaurant "Alpenblick". Nga viti 1993 deri në vitin 1997 ka drejtuar marketingun e kompanisë "Primus". Në vitin 1997 ka themeluar kompaninë e tij me emrin "Cungu & Co" e cila punëson mbi 100 vetë në degët e saja që gjenden në Ulqin, Podgoricë, Tivar, Budva, Nikshiq, Bjello polje, Kotorr dhe Herceg novi. Z. Cungu ka shtrirë aktivitetin e tij me kompani të tjera edhe në Tiranë dhe Prishtinë.

 

Angazhimi Publik

Në vitet 1996 – 2002 ka qenë kryetar i Klubit të Këshilltarëve të Unionit Demokratik të Shqiptarëve – UDSH, ku dha dorëheqjen për shkak të mospajtimit me disa veprime dhe devijime partiake. Në vitet 2004-2005 ka ushtruar funksionin e Kryetarit në Këshillin Ekonomiko Social të Ulqinit.

Z. Cungu është një ndër themeluesit e partisë "Forca e Re Demokratike" dhe aktualisht është kryetari i kësaj partie.

Z Cungu është një aktivist i shquar i shoqërisë civile të Malit të Zi, ai është një ndër themeluesit e shoqatës së Ulqinit në Zvicër, shoqatës humanitare "Drita", "Montenegro Biznis Aliances – MBA" dhe shoqatës së Ullishtarëve. Gjithashtu Z. Cungu është një ndër themeluesit dhe aktualisht kryetari i shoqatës prestigjoze "Ulqin Biznis Asociacionit- UBA", shoqatë kjo me mbi 270 anëtëarë afaristë dhe që shquhet si një ndër organizatat më të konsoliduara të republikës së Malit të Zi.

Aktualisht ështe Kryetar i komunës së Ulqinit.